I-vetmi-ngushëllim
The only Comfort

PARATHËNIE

Të dashur lexues,

Libri që keni në dorë përmban një tekst shpjegues për Katekizmin e Hajdelbergut. Katekizmi i Hajdelbergut është një rrëfim kishtar i besimit biblik. Ky katekizëm, i shkruar në Gjermani, në vitin 1562, është përhapur kudo në botë dhe është përkthyer në shumë gjuhë. Në krahasim me besore të tjera, Katekizmi i Hajdelbergut është më i njohuri dhe më i vlerësuari.

Arsyet janë se, së pari, ky katekizëm mbështetet shumë qartë tek Fjala e Perëndisë. E dyta, struktura e tij në 3 pjesë (Mjerimi, Shpëtimi dhe Mirënjohja e Njeriut), 52 Ditët e Zotit (një për çdo të diel) dhe 129 pyetjet dhe përgjigjet e bëjnë përmbajtjen shumë të kuptueshme.

Pa dyshim, karakteri i tij pastoral dhe ngushëllues është i vetmi shpjegim i vlerësimit të tij nga besimtarët. Përgjigjja e pyetjes së parë, “Cili është i vetmi ngushëllim i yti në këtë jetë dhe pas saj?”, është e paharrueshme!

Synimi kryesor i Katekizmit të Hajdelbergut ishte që t’u mësonte të rinjve doktrinat thelbësore, në mënyrë që ata të njiheshin mirë me Fjalën e Perëndisë. Por vlera e tij nuk u kufizua vetëm te mësimdhënia e të rinjve.

Që nga Kuvendi i Veselit (Wesel), në vitin 1568, pastorët e të gjitha kishave holandeze të reformuara, kanë predikuar prej tij çdo të diel në mbrëmje, në shërbesa kishtare. Kjo praktikë është ndjekur nga shumë kisha (sidomos të reformuara) në tërë botën. Ky ka qenë një bekim për themelimin e kishave dhe të besimtarëve në të vërtetën biblike. A nuk ka thënë Krishti (Mt. 28:19–20): “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të Frymës së Shenjtë, duke i mësuar të zbatojnë të gjitha sa ju kam urdhëruar”?

Për plotësimin e këtij urdhri të Krishtit, predikimet mbi Katekizmin e Hajdelbergut janë të vlefshme. Meqë ka disa libra me një seri shpjegimesh dhe predikimesh për këtë katekizëm, ajo që keni parasysh duket më e thjeshtë dhe më e përshtatshme për kisha të reja. Këto skica mund të përdoren në shërbesa kishtare, mësimdhënie edhe në studime personale.

Shtojcë, mund të lexoni më me hollësi rreth Besoreve, Rrëfimeve dhe Katekizmit të Hajdelbergut.

Autori i këtyre skicave ka shërbyer në Nigeri, Holandë, Izrael dhe Kanada.

Ndërsa e kishim botuar në gjuhën shqipe Katekizmin e Hajdelbergut, në vitin 2006, dhe pamë që pati interesim, dhe e botuam të rishikuar në vitin 2019, na erdhi mirë të botojmë edhe këto përvijime predikimesh.

Këtë botim e bëjmë me fjalët e shpjegimit të kërkesës së fundit të Lutjes së Zotit (Përgjigjja 128): “…sepse jotja është Mbretëria dhe fuqia, dhe lavdia përjetë; d.m.th. të gjitha këto t’i kërkojmë Ty, sepse Ti, duke qenë Mbreti ynë dhe i Plotfuqishmi, je i gatshëm dhe i aftë të na japësh çdo gjë të mirëa; dhe për të gjitha këto lutemi, që kështu, jo ne, por Emri Yt i shenjtë të lëvdohet përgjithmonë.”

Amen!

Një shpjegim i shkurtër, në 61 përvijime predikimesh, i Katekizmit të Hajdelbergut

A Short Explanation of the Heidelberg Catechism in Sixty-One Outlines

Pastor Cornelius Sonnevelt